Qëllimi i Fondacionit
Fondacioni Shqipe Luzha Heroi synon të fuqizojë vajzat dhe gratë e reja përmes arsimimit, mbështetjes profesionale dhe krijimit të mundësive për zhvillim personal dhe akademik. Duke mbështetur studentet femra në fusha të inxhinierisë mekanike, fondacioni synon të thyejë barrierat gjinore dhe të nxisë përfshirjen e plotë në profesione tradicionale të dominuara nga meshkujt.
Vizioni
Të krijojmë një shoqëri ku çdo vajzë dhe grua ka mundësinë të ndjekë pasionin dhe të arrijë potencialin e saj të plotë, pavarësisht sfidave. Përmes mbështetjes për arsimin dhe fuqizimin profesional, fondacioni do të jetë një katalizator për gjeneratat e ardhshme të lidereve dhe profesionisteve në Kosovë dhe më gjerë.
Rreth Nismës
Në nderim të frymës pioniere të Shqipe Luzha Heroi, gruaja e parë e diplomuar në Inxhinieri Mekanike në Kosovë dhe për të përkujtuar trashëgiminë e saj të jashtëzakonshme, familja e saj ka marrë nismën për të themeluar Fondacionin “Shqipe Luzha Heroi”.
Kjo iniciativë erdhi si një akt dashamirësie dhe vlerësimi për jetën dhe arritjet e saj të jashtëzakonshme, duke përfshirë krijimin e bursës së parë “Shqipe Luzha Heroi”, si dhuratë për ditëlindjen e saj të parë pas ndarjes së pa-pritshme nga jeta të kësaj pishtareje të arsimit.
Fondacioni është themeluar për të përmbushur vizionin e saj për arsim, gjithëpërfshirje dhe fuqizimin e grave, duke synuar të ndihmojë vajzat dhe gratë e reja që të ndjekin arsimin teknik dhe të kapërcejnë barrierat gjinore në fusha tradicionale të dominuara nga meshkujt. Kjo nismë, e cila fillimisht u ndërmor si një veprim vullnetar, në ditëlindjen e saj të parë pas ndarjes së pa-pritshme nga jeta, tani është institucionalizuar si një fondacion me qëllim të mbështetjes së vazhdueshme për brezat e ardhshëm të profesionisteve.
Në themelimin e tij, fondacioni përfshin jo vetëm bursën, por edhe një angazhim më të gjerë për të krijuar mundësi arsimore dhe profesionale për vajzat dhe gratë në Kosovë dhe më tej.
Biografia e Shqipe Luzha Heroi
Shqipe Luzha Heroi, një ikonë e përkushtimit dhe vendosmërisë, lindi më 24 dhjetor 1952 në Mitrovicë. Ajo filloi arsimin e mesëm teknik në Mitrovicë për ta përfunduar në Prishtinë. Ndoqi studimet në Fakultetin Teknik – Dega e Makinerisë, ku në vitin 1977 u diplomua si femra e parë shqiptare në këtë fushë në Kosovë.
Puna e saj profesionale nisi si profesoreshë në Shkollën e Mesme Teknike në Prizren, ku për 43 vite u angazhua në edukimin e gjeneratave të reja, duke lënë pas një trashëgimi të pashlyeshme. Përveç kontributit të saj akademik, Shqipja ishte një figurë aktive në jetën politike dhe shoqërore të Kosovës, duke shërbyer si deputete në lëvizjen për pavarësi gjatë viteve kritike të 1989-1999.
Si grua që theu shumë barriera gjinore ajo bë një model i frymëzimit jo vetëm për tri vajzat e saj por edhe çdo grua, mike, e nxënëse që pati fatin ta takonte. Pas përballjes dhe triumfit kundër kancerit të gjirit në vitin 2001, Shqipja u angazhua të ndihmonte gratë që përballeshin me këtë sëmundje, duke ofruar mbështetje morale dhe forcë për t’u përballur me sfidat e jetës.
Shqipja u nda nga jeta më 9 shtator 2023 në moshën 70 vjeçare, ende pa mbushur plotësisht misionin dhe ëndrrën e saj, por trashëgimia e Shqipes vazhdon të frymëzojë përmes Fondacionit Shqipe Luzha Heroi, duke mbajtur të gjallë vizionin dhe frymën e saj për arsim, përfshirje dhe përparim.
Shqipja e shkriu vehten për t’ua ndriçuar rrugën të tjerëve.